Paradoksi, ekonomia rritet, por punësimi u tkurr me 20 mijë persona në 3-mujorin e tretë
Ndërsa ekonomia shqiptare u zgjerua me 3.5 për qind, tregu i punës dha sinjale dobësimi, me rënie të ndjeshme të numrit të të punësuarve dhe tkurrje të forcës së punës.
Rritje ekonomike pa rritje punësimi
Ekonomia e vendit u rrit me 3.5 për qind, por sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës nga INSTAT, në periudhën korrik–shtator numri i të punësuarve në grup-moshën 15–64 vjeç ra me 19,561 persona krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Papunësia mbeti pothuajse e pandryshuar, duke treguar se rënia e punësimit nuk lidhet me rritje të personave që kërkojnë punë, por me zvogëlimin e vetë forcës së punës.
Të rinjtë dhe emigracioni godasin tregun e punës
Tkurrja më e fortë e punësimit u regjistrua tek të rinjtë 15–29 vjeç, me mbi 11 mijë persona më pak të punësuar se një vit më parë. Edhe grup-mosha 30–64 vjeç shënoi rënie me mbi 8,500 persona, duke sinjalizuar se largimi nga tregu i punës nuk prek vetëm të rinjtë, por edhe punonjës me eksperiencë, kryesisht për shkak të emigracionit.
Sektorët me intensitet të lartë pune në vështirësi
Përveç faktorëve demografikë, punësimi po ndikohet edhe nga vështirësitë në sektorë si industria dhe bujqësia. Bizneset, veçanërisht në prodhimin fason, po shkurtojnë vende pune për shkak të rënies së kërkesës në tregjet ndërkombëtare dhe humbjeve nga kursi i këmbimit. Ndërkohë, ndërtimi, shërbimet dhe aktivitetet sezonale kanë frenuar rekrutimet për shkak të kostove dhe presionit të pagave.
Forca e punës në tkurrje
Në tremujorin e tretë 2025, forca e punës në moshën 15–64 vjeç zbriti në 1,150,656 persona, ose 20,344 më pak se një vit më parë, një tkurrje prej 1.7 për qind. Në kushtet e emigracionit të lartë dhe rënies së popullsisë në moshë pune, tregu i punës po bëhet gjithnjë e më i kufizuar.
Papunësi e pandryshuar, por treg i brishtë
Në ndryshim nga vendet e zhvilluara, ku rënia e punësimit shoqërohet me rritje të papunësisë, në Shqipëri shumë persona që humbin vendin e punës nuk regjistrohen si të papunë, pasi janë të gatshëm të largohen jashtë vendit ose të qëndrojnë përkohësisht jashtë tregut të punës.